Secondary Adv

Rama prezanton masat: Dëmshpërblim për bizneset, ndëshkime për dhunuesit në protesta

Qeveria propozon kompensimin e bizneseve të dëmtuara dhe masa të reja ndëshkuese për dhunën gjatë protestave.

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar një paketë të re ndryshimesh ligjore që synojnë parandalimin dhe ndëshkimin e akteve të dhunës gjatë protestave, si dhe kompensimin e bizneseve që pësojnë dëme materiale. Masat u bënë publike një ditë pas protestës së zhvilluar të shtunën në Tiranë, gjatë së cilës pati përplasje me policinë, përdorim të molotovëve ndaj institucioneve dhe dëmtime të pronës publike e private.


Paketa mbështetet në parimin “Kush thyen, paguan” dhe parashikon që bizneset e dëmtuara të përfitojnë kompensim nga shteti, ndërsa personat përgjegjës për dëmet të mbajnë përgjegjësi financiare. Sipas prezantimit të kryeministrit, masat përfshijnë gjoba deri në 500 mijë lekë, kufizime të përkohshme të tubimeve në zona të caktuara, krijimin e një regjistri elektronik për persona të referuar ose nën hetim për vepra penale, si dhe ndryshime në Kodin Penal dhe në Kodin e Etikës së mësuesve.


Rama deklaroi se paketa është përgatitur në bashkëpunim me ekspertë europianë dhe në koordinim me partnerët italianë e francezë, duke marrë si referencë modelet e tyre ligjore dhe jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.


“Kjo paketë ligjore ka një bazë parimore shumë të qartë: Protesta paqësore mbrohet, dhuna ndëshkohet dhe dëmi paguhet nga shkaktari”, deklaroi kryeministri.


Sipas tij, masat e propozuara janë hartuar në përputhje me nenin 47 të Kushtetutës së Shqipërisë, nenin 11 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, jurisprudencën e Gjykatës së Strasburgut dhe udhëzimet e Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it për lirinë e tubimit paqësor. Rama theksoi se përgjegjësia do të jetë individuale, masat kufizuese të përkohshme dhe të arsyetuara, ndërsa kufizimet e rëndësishme do t'i nënshtrohen kontrollit gjyqësor.


Dëmshpërblim deri në 100 për qind për bizneset e dëmtuara

Një nga masat kryesore të paketës është kompensimi i bizneseve që kanë pësuar dëme materiale gjatë protestave. Sipas propozimit të prezantuar, bizneset e vogla do të përfitojnë dëmshpërblim të plotë, deri në 100 për qind të vlerës së dëmit, ndërsa për bizneset e mëdha është përmendur mbulimi i 70 për qind të dëmeve.


Në detajimin e masës, qeveria parashikon mbulimin nga 70 deri në 100 për qind të dëmeve materiale për bizneset me xhiro vjetore deri në 140 mijë euro, sipas kritereve që do të përcaktohen. Masa synohet të zbatohet përmes një akti normativ për dëmshpërblimin e menjëhershëm të biznesit të vogël.


Bizneset që kanë paraqitur aplikimet për dëmet pranë Administratës Tatimore nuk do të duhet të presin përfundimin e proceseve gjyqësore për të përfituar kompensimin, sipas skemës së propozuar.


Ligji “Kush thyen, paguan”, gjoba deri në 500 mijë lekë

Paketa përfshin një ligj të posaçëm për riparimin e dëmeve, sipas të cilit personat që shkaktojnë dëmtime gjatë tubimeve do të mbajnë përgjegjësi financiare për pasojat e veprimeve të tyre.


Ndëshkime parashikohen edhe për individët që vijojnë të qëndrojnë në grumbullime ku ushtrohet dhunë, megjithëse janë në dijeni të akteve të dhunshme dhe janë paralajmëruar nga policia. Për këto raste propozohen gjoba deri në 500 mijë lekë.


Për të miturit mbi 14 vjeç, paketa parashikon që gjobat të paguhen nga prindërit ose kujdestarët ligjorë. Sipas qeverisë, qëllimi është që kostot e dëmeve të shkaktuara gjatë protestave të përballohen nga personat përgjegjës dhe jo nga taksapaguesit.


Ndryshime në ligjin “Për tubimet”, kufizime deri në 72 orë

Ndryshimet e propozuara në ligjin “Për tubimet” parashikojnë që Policia e Shtetit të mund të kufizojë zhvillimin e tubimeve deri në 72 orë pranë institucioneve të ndjeshme, në rastet kur ekziston një rrezik real për akte dhune.


Paketa përfshin gjithashtu masa ndaj thirrjeve për dhunë në rrjetet sociale dhe sanksione financiare për shkelje të ndryshme gjatë organizimit dhe zhvillimit të protestave. Sipas propozimit, gjobat do të variojnë nga 10 mijë deri në 100 mijë lekë për tubimet pa leje dhe mosbindjen ndaj thirrjeve për largim.


Ndërkohë, për mosbindjen ndaj urdhrit të shpërndarjes së tubimit dhe fshehjen e identitetit parashikohen gjoba deri në 500 mijë lekë. Për bllokimin e qarkullimit rrugor propozohet një gjobë prej 5 mijë lekësh.


Regjistër elektronik për personat e referuar ose nën hetim

Një tjetër instrument i paketës është krijimi i një Regjistri të Posaçëm Elektronik për personat e referuar ose nën hetim për vepra penale kundër shtetit, rendit dhe sigurisë publike.


Regjistri parashikohet të krijohet me vendim të Këshillit të Ministrave dhe të administrohet nga Policia e Shtetit. Sipas propozimit, të dhënat e tij do të përdoren edhe për kontrollet kufitare, përfshirë kufizimin e daljes nga vendi sipas kushteve ligjore, si dhe për njoftimin e autoriteteve të huaja.


Masa për mësuesit dhe ndëshkime më të ashpra në Kodin Penal

Paketa parashikon ndryshime edhe në Kodin e Etikës së mësuesve. Sipas propozimit, mësuesit që përdorin autoritetin e tyre për të nxitur ose organizuar pjesëmarrjen e nxënësve nën 18 vjeç në tubime, në kundërshtim me interesin e fëmijëve, mund të përballen me pezullim ose largim nga detyra.


Ndryshimet e propozuara në Kodin Penal synojnë ashpërsimin e ndëshkimeve për dhunën gjatë protestave, nxitjen e saj përmes rrjeteve sociale dhe dëmtimin e pronës publike ose private.


Mbajtja e armëve apo sendeve të rrezikshme gjatë tubimeve mund të dënohet deri në dy vjet burg, ndërsa fshehja e fytyrës në tubime të dhunshme deri në gjashtë muaj burg.


Paketa përfshin gjithashtu dispozita kundër kanosjes, përndjekjes në internet, publikimit të të dhënave personale me qëllim ekspozimin e individëve ndaj sulmeve, si dhe përdorimit të videove të falsifikuara me inteligjencë artificiale që shkaktojnë dëm.


Gjashtë instrumente ligjore, Rama paralajmëron edhe prezantimin e projektbuxhetit 2027

Sipas kryeministrit, paketa përbëhet nga gjashtë instrumente që plotësojnë njëri-tjetrin: një akt normativ për dëmshpërblimin e menjëhershëm të biznesit të vogël, një ligj i posaçëm për riparimin e dëmeve, ndryshime në ligjin “Për tubimet”, krijimi i Regjistrit të Posaçëm Elektronik, ndryshime në Kodin e Etikës së mësuesve dhe propozime për ndryshime në Kodin Penal.


Gjatë prezantimit, Rama njoftoi gjithashtu se projektbuxheti i vitit 2027 do të bëhet publik në ditët e para të javës. Sipas tij, dokumenti do të përmbajë masa të reja për familjet, përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, si dhe mbështetjen e të rinjve dhe studentëve.


Masat kundër dhunës në protesta janë prezantuar si propozime ligjore dhe instrumente të planifikuara nga qeveria. Zbatimi i tyre do të varet nga miratimi dhe hyrja në fuqi e akteve përkatëse, sipas procedurave ligjore.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat